14 Maj 2018

Fondi nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit për garanci me TEB Bank

Fondi nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit për garanci me TEB Bank

Prishtinë, 14 Maj 2018 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) sot nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit të garancisë me Bankën TEB.

TEB është ndër bankat e para e cila shfrytëzoi limitin e alokuar në tërësi. Përdorimi i kësaj linje të ofruar nga FKGK i mundësoi Bankës më shumë siguri kolaterali për kreditë e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) të cilat nuk do të kishin qenë të kualifikuara të marrin kredi pa këtë garanci kreditore, duke i'u mundësuar kështu qasje më të lehtë në financa ndërmarrjeve Kosovare.

Marrëveshja për limitin e ri synon të zgjerojë tutje kredidhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë si gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rininë.

Ne besojmë se rritja e limitit për TEB do të rritë më tej kontributin e Bankës drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.

Shuma totale e kredive të miratuara nga të gjitha Bankat të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë rreth 45 milionë euro të shpërndara në 1,212 kredi.

Cila është procedura për të përfituar nga garancitë?Bizneset aplikojnë për kredi në bankë si më parë, duke i kaluar të gjitha procedurat bankare. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë tek FKGK-ja që të marrin garancinë.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në zyrat e Fondit, në rrugën Anton Çetta nr. 5A, në Prishtinë.