26 Prill 2016

Lansohet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore

Lansohet Fondi Kosovar për Garanci Kreditore

Prishtinë, 26 prill 2016 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) u inaugurua sot gjatë një ceremonie të organizuar nga USAID në Kosovë dhe Qeveria e Kosovës. Kjo ceremoni shënon themelimin e një institucioni të pavarur lokal dhe të qëndrueshëm, i cili pritet të lëshojë garanci kreditore për institucionet financiare, duke rritur kështu qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë.

Mes pengesave kryesore për zhvillimin e NMVM-ve dhe krijimin e vendeve të punës është edhe qasja joadekuate në financa për kompanitë prodhuese, ofruesit e shërbimeve dhe bizneset bujqësore. Përveç kësaj, shumë nga këto biznese, sidomos ato në pronësi të grave, kanë pronë të kufizuar apo nuk kanë fare të tillë për ta përdorur si kolateral për të marrë kredi.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) do të ofrojë garanci për kredi të kualifikuara biznesi për kredimarrësit e kualifikuar. FKGK-ja, e themeluar me ligj në janar të vitit 2016, do të mbulojë deri në 50% të riskut të kredive, me qëllim të lehtësimit të qasjes për zhvillimin e sektorit privat dhe rritjen e qasjes në financa për NMVM-të. Kreditë e garantuara nga FKGK-ja do të ndihmojnë posaçërisht bujqit, sipërmarrësit, bizneset e udhëhequra nga gratë, si dhe bizneset e pakicave për të zgjeruar, rritur prodhimtarinë vendore, për të krijuar vende të punës, si dhe për të përmirësuar bilancin tregtar të vendit. Gjatë këtij organizimi, Ambasadori Amerikan në Republikën e Kosovës, SHTZ Greg Delawie, derisa paraqiste dobitë e FKGK-së, theksoi që SHBA-të mbeten të përkushtuara për të përkrahur fuqizimin ekonomik të Kosovës.

Tashmë po bëhen përpjekje për të krijuar kapitalin e FKGK-së me zotimet e financimit të dhëna nga USAID-i, si dhe agjenci të tjera donatore ndërkombëtare (KfW, SIDA) si dhe Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) që është sponsoruese.