21 Shtator 2018

FKGK nënshkruan Marrëveshje me Raiffeisen Leasing Kosovë

FKGK nënshkruan Marrëveshje me Raiffeisen Leasing Kosovë

Prishtinë, 20 shtator 2018 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkroi marrëveshjen e garancisë me Raiffeisen Leasing në Kosovë (RLKO).

Marrëveshja do të i mundësojë institucionit përkatës të përfitojë më shumë siguri kolaterali për lizingjet e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) të regjistruara në Kosovë, duke ofruar kështu qasje më të lehtë në financa për kompanitë kosovare. Marrëveshja synon të zgjerojë lizingdhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë e kategori që janë shërbyer më pak, si gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rinia.

RLKO është Institucioni Financiar jo Bankar (IFJB) i parë i cili ka nënshkruar marreveshjen e garancisë me FKGK-në. Ne besojmë se marrëveshja me RLKO-në do të rritë kontributin e këtij institucioni drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.

Shuma totale e kredive të miratuara nga Bankat të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë rreth 62 milion euro të shpërndara në 1600 kredi.

Cila është procedura për të përfituar nga ai? Bizneset aplikojnë për kredi në bankë apo lizing në kompaninë e lizingut si më parë, duke kaluar të gjitha procedurat e institucionit përkatës. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit apo lizingmarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, apo kushtet tjera nuk plotësohen, institucioni financiar mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi/lizing, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë tek FKGK-ja që të marrin garancinë.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në zyrat e FKGK-së, në rrugën Anton Çetta nr. 5A, në Prishtinë.