30 Shtator 2018

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore mbush dy vjet të funksionalizimit

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore mbush dy vjet të funksionalizimit

Prishtinë, më 29 shtator 2018 - Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) me kënaqësi ju njofton për mbushjen e vitit të dytë të funksionalizimit të plotë të veprimtarisë së tij.

Nëpërmjet garantimit të portofolit kreditor të bankave partnere, FKGK-ja ka arritur të ndihmojë në lehtësimin e qasjes në financa për NMVM-të, si dhe të bëhet një partner i rëndësishëm në procesin e ndërmjetësimit financiar brenda ekonomisë së vendit tonë.

FKGK-ja tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e garancisë me pothuajse të gjitha bankat në Kosovë, duke përfshirë: Bankën Ekonomike, Bankën Kombëtare Tregtare, Bankën për Biznes, NLB Bank, ProCredit Bank, Raiffaisen Bank dhe TEB Bank. Po ashtu rishtazi ka nënshkruar marrëveshjen e garancisë me Raiffaissen Leasing Kosovë. Marrëveshja u mundëson institucioneve financiare partnere të përfitojnë siguri kolaterali ose transferim të një pjese të riskut kreditor si rezultat i pamjaftueshmërisë së kolateralit për kreditë e lëshuara për NMVM-të.

Ndërtimi i portofolit të garancisë kreditore gjatë këtyre dy vjetëve vazhdoi të rritet në mënyrë sistematike, duke arritur kështu vlerën kumulative të kredive të miratuara në 63.3 milionë euro, të shpërndarë në 1’650 kredi.

FKGK-ja gjatë këtyre dy vjetëve ka qenë gjithnjë proaktive ndaj nevojave të sektorit, duke i përmirësuar në vazhdimësi proceset, kriteret kualifikuese, si dhe duke i avancuar produktet e garancisë.

Me një optimizëm të lartë mendojmë që Fondi Kosovar për Garanci Kreditore do të luajë një rol të rëndësishëm në kredidhënien për bizneset kosovare. Ky rol nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen aktive të Qeverisë së Kosovës, të donatorëve ndërkombëtarë, si USAID-i, KfW-ja, si dhe SIDA, të Bankës Qendrore të Kosovës, të institucioneve financiare partnere, si dhe të institucioneve të tjera të ndërlidhura.

Ne u jemi mirënjohës për këtë mbështetje, për të cilën besojmë se do të jetë po aq aktive edhe në të ardhmen, gjithnjë me qëllim të rritjes së qasjes në financa për NMVM-të, të mbështetjes së zhvillimit të ndërmarrësisë, të mbështetjes së prodhimit vendor dhe të atyre shërbimeve të cilat krijojnë vlerë të shtuar, të krijimit të vendeve të reja të punës dhe të mbështetjes së zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.