17 Tetor 2018

Fondi nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit për garanci me Bankën për Biznes

Fondi nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit për garanci me Bankën për Biznes

Prishtinë, 09 tetor 2018. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkroi marrëveshjen për rritje të limitit të garancisë me Bankën për Biznes (BPB). Rritja e limitit për BPB-në do të rritë më tej kontributin e bankës drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes kryeshefi ekzekutiv i Bankës për Biznes, z. Celina, theksoi:“Rritja e limitit të garancisë me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore tregon tutje interesimin tonë që t’u mundësojmë NMVM-ve qasje në financa për bizneset, të cilat kanë mungesë kolaterali/hipoteke, duke kontribuuar drejtpërdrejt në zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori, sektor i cili ndikon më së shumti në rritjen ekonomike të vendit”.

Tutje, drejtori menaxhues i FKGK-së, z. Berisha, theksoi se “ marrëveshja për limitin e ri synon të zgjerojë tutje kredidhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, në rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë, si: gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rininë”.

Shuma totale e kredive të miratuara nga të gjitha bankat, të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë, ka arritur tashmë rreth 66 milionë euro, të shpërndara në 1.700 kredi.

Cila është procedura për të përfituar nga garancitë? Bizneset aplikojnë për kredi në bankë si më parë, duke i kaluar të gjitha procedurat bankare. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë te FKGK-ja që të marrin garancinë.