04 Tetor 2019

MFK DHE FKGK ME MARRËVESHJE PËR ENERGJINË E RIPËRTËRITSHME

MFK DHE FKGK ME MARRËVESHJE PËR ENERGJINË E RIPËRTËRITSHME

Prishtinë, 3 tetor 2019 - "Ky është hap vendimtar drejt një mbështetje më të mirë për energjinë e ripërtëritshme në Kosovë dhe një shans për të krijuar ekspertizë në financimin e projekteve të tilla në vendin tonë, në mënyrë që të zhbllokohet një kapital i ri në sektorë të ndryshëm" - thotë Petrit Selimi, CEO i Fondacionit të Mileniumit të Kosovës (MFK).

Fondacioni i Mileniumit i Kosovës (Millennium Foundation Kosovo - MFK) i mbështetur nga Korporata e Sifidave të Mileniumnit (Millennium Challenge Corporation – MCC) ka nënshkruar Marrëveshjen për Zbatim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore – FKGK (Kosovo Credit Guarantee Fund - KCGF), si mekanizëm kryesor në Kosovë që mbështet qasjen në financa për sektorin privat. Kjo marrëveshje rregullon bashkëpunimin në mes të dy organizatave për ngritjen e ekspertizës dhe krijimin e Dritares për Garanci të Kredidhënies për Projekte dhe për Energji të Ripërtëritshme.

MFK do të mbulojë shpenzimet e nevojshme për veprimet e FKGK-së që synojnë rritjen e kapaciteteve dhe njohurive financiare të tregut të energjisë solare. "Ky është një zhvillim i rëndësishëm që ndihmon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe sektorin e energjisë në veçanti. FKGK ka ofruar me sukses miliona euro garanci kreditore për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, prandaj ne jemi të interesuar të diversifikojmë portfolion tonë në sektorin privat, duke punuar me projekte të energjisë së ripërtëritshme dhe duke mundësuar kredimarrje në bazë të financimit të projekteve, " - ka deklaruar Besnik Berisha, Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore(FKGK).

Kjo marrëveshje fokusohet në tri intervenime kyçe që kanë për qëllim financimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë:

1. Sigurimi i asistencës teknike dhe zhvillimi i kapaciteteve për krijimin e një dritare garantuese për financimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme

2. Lansimi i projektit përshpejtues i cili përqëndrohet në kontrollimin e cilësisë dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme të gatshme për financim bankar

3. Standardizimi i tregut përmes një pakete ku përfshihen trajnime dhe standardizim i projekteve për të ndihmuar bankat partnere të FKGK-së të vlerësojnë faktorët e riskut gjatë vlerësimit të projekteve të energjisë solare

MFK përmes financimit nga MCC ka bërë hulumtime afro dy vjeçare duke angazhuar palët kryesore të interesit dhe duke analizuar rolin e garancive në ofrimin e financimit komercial për projektet e vogla në fushën e Energjisë së Ripërtëritshme. Ky hulumtim ka analizuar barrierat kryesore të dhënies së kredive bankare në bazë të parashikimeve të performancës së projekteve në fushën e prodhimit të energjisë së ripërtritshme.

Një pjesë e këtij projekti përfshinë ndërtimin e kapaciteteve të FKGK-së, që do të shërbejë si një katalizator kyç brenda Kosovës. Alexander Dixon, Drejtori Menaxhues për Financa, Investime dhe Tregti nga MCC, deklaroi "Bashkëpunimi ndërmjet MFK-së dhe FKGK-së është pjesë e fokusit të MCC-së në përdorimin e financimit të kombinuar për të ofruar kapital privat. Ky bashkëpunim ka për qëllim të katalizojë zhvillimin e sektorit të energjisë së ripërtëritshme të Kosovës ku FKGK do të luajë një rol rëndësishëm në tërheqjen e kapitalit privat dhe kapitalit nga institucionet financiare zhvillimore. MCC ka kënaqësinë të ndërtojë kapacitete të reja mbi bazën ekzistuese që ka krijuar qeveria e shtetit Amerikan në sektorin financiar." Përmes këtij bashkëpunimi, FKGK, në bashkëpunim me partnerët e konzorciumit do të ofrojë financimin komercial për projekte të vogla në fushën e gjenerimit të energjisë së ripërtërishme.

Foto nga MFK