Lidhur me Fondin

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) lëshon garanci kreditore portofoli për institucionet financiare për të mbuluar deri në 50% të rrezikut për kreditë e mikro-ndërmarrjeve, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NMVM-të).

FKGK-ja luan rol kryesor në lehtësimin e barrës për NMVM-të që ato të sigurojnë më shumë financim për rritjen e tyre. Me zvogëlimin e riskut të kredidhënies për NMVM-të, do të inkurajohen institucionet financiare partnere të FKGK-së për të dhënë kredi për më shumë NMVM, për të rritur shumat e kredive për NMVM-të, për të zgjeruar produktet dhe shërbimet e ofruara për NMVM-të, si dhe për të përmirësuar kushtet dhe afatet e atyre kredive. FKGK-ja do t’i ndihmojë institucionet financiare që ato t’i japin kredi NMVM-ve të përshtatshme që mund të mos jenë plotësisht të kualifikuara pa garanci që të marrin kredinë, ose, nëse kanë kredi, mund të mos kualifikohen për të marrë financim shtesë që iu nevojitet për rritje. FKGK do të ndihmojë të tejkalohet edhe pengesa për NMVM-të në kuptimin e mungesës së kolateralit të përshtatshëm, apo në kuptimin e regjistrit të kufizuar kreditor apo historisë kreditore.

Institucionet financiare që mund të regjistrohen në FKGK, e kështu të kualifikohen për të marrë pjesë në programin e garancive, janë bankat, institucionet financiare jo-bankare (IFJB), si dhe institucionet mikro-financiare (IMF).